Inflacioni arriti nivelin 3.9% në muajin Shkurt

Inflacioni u rrit sërish në muajin Shkurt dhe arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit.

Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit. Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.

Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar, duke reflektuar efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm një vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negativ në masën -3.9%, çka dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqet gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell në ekonomi.

Inflacioni i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9% që kishte qenë në janar. Megjithatë, krahasuar edhe në këtë grup rritja e inflacionit është e dukshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi i indeksit vjetor të çmimeve të konsumit ishte 0.

Në një masë të madhe, efekti i shtrenjtimit të energjisë elektrike në tregje është amortizuar nga vendimi për të mos e përcjellë këtë shtrenjtim tek konsumatorët familjarë dhe tek bizneset e vegjël. Por, për bizneset më të mëdha, energjia elektrike është shtrenjtuar shumë gjatë muajve të fundit.

Ndaj, megjithëse nuk po paguajnë më shumë tek faturat e energjisë elektrike, konsumatorët do ta paguajnë një pjesë të çmimit të energjisë së shtrenjtuar në faturat e blerjes së artikujve dhe shërbimeve të konsumit.

Inflacioni i lartë në grupin e produkteve ushqimore përbën një goditje të rëndë për shtresat më të varfra të shoqërisë, ku ushqimet përbëjnë një pjesë shumë të madhe të shpenzimeve familjare. Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë.

Deri në fund të shkurtit, inflacioni ishte amortizuar pjesërisht nga pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit valutor. Por, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, leku po pëson një nënçmim të shpejtë kundrejt euros. Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi.

Koha Shqiptare

Next Post

Rusia po ripërqendrohet në infrastrukturën e saj të internetit

Wed Mar 9 , 2022
Rusia gjithashtu e sheh veten të izoluar në internet. Një nga ofruesit e tij më të rëndësishëm të internetit është me të vërtetë tërheqja, që do të thotë se vendi së shpejti do të përdorë vetëm ofruesit rusë DNS, edhe nëse nuk është njësoj si ndërprerja e internetit. Cogent Communications, […]

Artikuj te ngjashëm