Lufta në Ukrainë rrit inflacionin dhe çmimet në tregun e Kosovës

Një valë e re çmimesh nga tregjet e huaja pritet ta godasë edhe tregun e Kosovës, për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

 

Shpërthimi i luftës në Ukrainë ka çrregulluar tregjet e naftës dhe gazit në tërë globin pasi Rusia është një prej prodhueseve më të mëdha të energjisë në botë. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, më 6 mars, ka arritur në 118 dollarë për fuçi dhe rritja e çmimit të derivateve dhe energjisë në botë, pritet që drejtpërdrejtë të rrisë edhe çmimet e produkteve tjera.

Në Kosovë, në 6 mars, një litër naftë është shitur mesatarisht 1.59 euro, ndërsa benzina deri në 1.59 euro, në varësi të operatorit ekonomik dhe vendndodhjes. Ndërkohë kjo rritje ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.

Në Kosovë sasia më e madhe e mallrave importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian si dhe ato të rajonit dhe çmimet e derivateve tashmë janë rritur. Këto ditë në dyqane janë vërejtur edhe ngritje të çmimeve të produkteve bazike. Një litër vaj shitet nga 1.45 deri në 2.09 euro, një kilogram miell nga 0.69 deri në 0.95 euro dhe një kilogram sheqer nga 0.79 në 0.95 euro. Në janar të këtij viti, inflacioni në Kosovë arriti në 7.1 për qind.

Shkëmbimet tregtare të Kosovës me Rusinë dhe Ukrainën

Vetëm gjatë vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare, mbi 4.6 miliardë euro ka qenë vlera e produkteve të importuara në Kosovë, ndërsa shumë më pak, 712 milionë euro, ka qenë vlera e eksporteve.

Kosova importon kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA): Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Kosova nuk ka shkëmbime të larta tregtare me Rusinë dhe Ukrainën.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vitin e kaluar vlera e importit nga Rusia ka qenë mbi 50 milionë euro, kurse gjatë këtij viti, deri më 27 shkurt, në tregun e Kosovës mallra ruse kanë hyrë në vlerë prej 5.4 milionë euro.

Pije alkoolike, tekstil, vajra, letra, sheqer, kimikate organike, prodhime të qelqit janë vetëm disa nga produktet ruse që gjenden në tregun e Kosovës.

Kurse vlera e produkteve të Kosovës që kanë kaluar në tregun e Rusisë vitin e kaluar ka qenë mbi 34,000 euro, ndërsa gjatë këtij viti mbi 3,600 euro.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara vetëm gjashtë kompani ruse, apo kompani me pronarë me shtetësi nga Rusia. Ndërkaq, në pesë vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë investim direkt.

Ndërkaq, produktet nga Ukraina në tregun e Kosovës kanë pjesëmarrje edhe më të vogël.

Më 2020 vlera e mallrave ukrainase të importuara në Kosovë ka qenë rreth 19 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar kjo vlerë gati është dyfishuar me mbi 36 milionë euro.

Miell, kafe, çaj, vaj, tekstil, qeramikë janë disa nga produktet e importuara vitin e kaluar nga Ukraina në Kosovë.

Mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin 2021 kanë kapur vlerën e mbi 22,000 eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70,000 euro.

Koha Shqiptare

Next Post

Granatat ruse në ditën e 13-të të pushtimit pengojnë evakuimin e civilëve

Tue Mar 8 , 2022
Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e 13-të dhe evakuimi i civilëve bëhet gjithmonë e më i vështirë. Sipas burimeve zyrtare nga Ukraina, granatimet ruse ende po pengojnë evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara si Kievi, Mariupoli, Sumy dhe Kharkiv. Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths, i […]

Artikuj te ngjashëm